Lushtaku për Kurtin: Një kryeministër që nuk e rrit fëmijën në Kosovë, nuk ka ndjenjë të përgjegjësisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se partia ne pushtet po shkel Kushtetutën duke mos u përgjigjur në pyetjet parlamentare dhe duke u vënë kusht që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas tij, kryeministri i cili fëmijën nuk e rrit në Kosovë, nuk e ka as ndjesinë e përgjegjësisë.
“Shihet qartë se po shkelet Kushtetuta dhe formalisht vijnë kinse po përgjigjen e kinse punojnë. Po duhet marrë përgjegjësinë edhe për qytetarët tjerë, mbi 49%, që nuk kanë votuar për ju. Një kryeministër si Albin Kurti që fëmijët e vet i rrit jashtë Kosovës nuk e ka ndjeshmërinë e përgjegjësisë. E kuptoj për secilin deputet që të kenë familje jashtë vendit, por jo presidenti e Kryeministri apo kryeparlamentari, sepse kjo tregon papërgjegjshmëri të madhe ndaj besimit që e ka marr prej qytetarëve”, ka thënë Lushtaku.
Sipas tij, Kuvendi është bërë cirk si pasojë e idesë rrugaçe që përfaqëson Kurti me partinë e vet.
“Ju i konsideroni si qytetarë të rendit të dytë ata që nuk ju kanë votuar. Ata kanë mendësi të tillë që është shkatërruese për Kosovën”, është shprehur deputeti i PDK-së.