Lushtaku, Qeverisë Kurti: Do të mbahet mend për punësimin e nipave dhe mbesave
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka kritikuar raportin 100-ditësh të Qeverisë Kurti, duke thënë se ekzekutivi më shumë ka reflektuar me përshkrim se sa me sukses.
“Kritikat qe ka bërë kjo parti deri në ardhjen në pushtet kane qenë vetëm fasadë. Serioziteti i punës shihet në mëngjes apo fillim të saj dhe ky raport 100-ditësh lë shumë për të dëshiruar ku kemi parë vetëm përshkrime që reflektojnë ndonjë sukses” është shprehur ai.
Lushtaku ka thënë se Qeveria Kurti do të mbahet në mend për nepotizëm, shkarkime e emërime bordesh dhe punësime nipash e mbesash.
“Kanë ardhur me premtime gjigante e joshëse. Vetëvendosje është mësuar me demagogji dhe jo me politikë të bërë. Kjo qeveri për 100 ditët e saj do të mbahet mend vetëm për nepotizëm, borde, nipa mbesa. Kanë bërë fushatë vetëm për të marr pushtet. Shkarkimet e paligjshme që po lënë pa përgjegjës shumë institucione të pavarura”.
Më tutje, Lushtaku ka kërkuar që zëvendësministri Hysen Durmishi të shkarkohet pas skandalit me “tiketat ngjitëse”.
Ndërsa Eman Rrahmani, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se opozita nuk është e gëzuar pasi nuk do të mund të përfitojnë më donacione, siç ka ndodhur tash e 20 vjet.
“Me kritika të tilla opozita pa bazë e pa argument po na pamundësohet me arsyetua edhe kur po ka diçka që duhet arsyetuar. Nuk mundesh me akuzua dikë kur vetë je kanë edhe më keq”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se deputeti Rrahmani nuk duhet të vijë në Kuvend dhe të shes pallavra.
“Nuk mund të bëhesh i famshëm duke fol me Palin”, ka thënë ai.
Kurse ministri Liburn Aliu ka thënë se kanë shumë punë, dhe se nuk mund t’i mbyllë sytë para shkeljeve të ndryshme. Pas fjalës së tij edhe Aliu si i vetmi ministër e ka lëshuar sallën e Kuvendit.