Luta kritikon kryeministrin për menaxhimin e situatës me Covid-19

27 korrik 2020 | 23:12

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kritikuar qeverinë Hoti, duke thënë se pandemia po menaxhohet në panik, në nivel vendi.

Në një prononcim për Mediafokus.info, Haziri ka thënë se situata po rrëshqet në padëgjueshmëri qytetare.

“Situata po del në padëgjueshmëri qytetare, në mënyrën qysh po menaxhohet. Nëse nuk marrin vendime në koordinim me kryetarët e komunave, le ta dinë se unë si kryetar i komunës nuk i ndahem qytetarëve të mi. Unë në ora 21:05 dalë e festoj në Gjilan ose marrë pjesë në funerale sepse na kanë dhanë detyra pa kapacitete. Ne nuk jemi kryetarë që të numërojmë kufoma, por të evitojmë kufoma”, ka thënë Haziri.

Ai ka dalë edhe kundër idesë që Kurban Bajrami të kremtohet përmes sistemit online.

“Ritualet fetare bëhen me motive dhe rregulla të caktuara. Nuk bëhen me transmetim virtual. Duhet të gjejmë mënyrën e me na i dhanë instruksionet qysh të kremtojmë sepse të premten është festa”, ka shtuar Haziri.

Ai ka kërkuar që të largohet ora policore për Gjilanin dhe të hapen cerdhet, shkollat e futbollit dhe bibliotekat, të cilat do të funksionojnë me rregulla strikte.

“Unë e di që ministri i Shëndetësisë shëndetin e qytetarit e ka prioritet, por janë edhe tre ministra që duhet të merren me probleme të tjera. Unë i bëj thirrje që të koordinohen dhe të mos na lënë problemet te dera”, ka theksuar nënkryetari i LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad…