Lutfi Haziri kërkon të mos pengohen kryetarët e komunave veriore nga “liberatorët-ministra”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kërkuar që kryetarët e zgjedhur të komunave veriore t’i kryejnë punët e tyre ditore pa policë e pa “liberatorë-ministra”, deri në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai shkroi në Facebook të dielën se ministrat “vizitorë” që po shkojnë në veri, po e dëmtojnë shtetin, progresin dhe partneritetin e Kosovës. Haziri tha se kryetarët janë legalë, por pa legjitimitet, që duhet t’i kryejnë punët pa u dëmtuar.
“Sa i përket ultimatumit të Listës Serbe, më 1 qershor kryetarët vazhdojnë punët ditore. Deri në një marrëveshje, ata do të mbulojnë vakumin institucional pa legjitimitet por legal. Lind dielli prapë, punën e vazhdojnë në kafene. Ndërsa për disa ministra vizitorë, mos u sillni si liberatorë të serbëve të Kosovës në veri se jeni duke e dëmtuar shtetin, progresin e këtij vendi dhe partneritetin. Lejoni ata kryetarë legalë e pa legjitimitet që të shkojnë në punë ditore pa policë e liberatorë-ministra, se jeni duke i dëmtuar në ditët e para të punës”, tha ai.
Ndërsa, për raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, që i pyeti policët në veri se “çka dreqi po duan atje”, Haziri e pyeti se “çka dreqi ke me policë”.
“Von Cromon, çfarë dreqin ke me policë?! Ata zbatojnë urdhra në zbatim të ligjit. Drejtohu te urdhërdhënësi. Zonja e vjetër, nëse s’e di, ai quhet Albin Kurti”, tha ai.