Lutfi Haziri: Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, tri komunat veriore Serbisë
Kryetar i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sot ka pritur udhëheqësit e komunave të Luginës së Preshevës dhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahriti.
Pas takimit, Haziri ka thënë se në takimin koordinues me udhëheqësit e komunave të Kosovës Lindore dhe të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dolëm me qëndrimin e përbashkët se e drejta për bashkim me Kosovën t’u garantohet në parimin e reciprocitetit me tërësinë e komunave, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
“Këto takime do të jenë edhe më të shpeshta për të ndërtuar një konsensus më të gjerë politik. Kufiri i vitit 1956 është kufiri i cili i zgjidh problemet e shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Serbisë”, ka thënë Haziri.
Lutfi Haziri është zyrtari i vetëm i lartë i LDK-së që pajtohet me shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmendja e vitit 1956 nga Haziri ka të bëjë me kohën kur tri komunave veriore të banuara me shumicë serbe i ishin bashkangjitur Kosovës, kurse tri komunat me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës kishin mbetur jashtë.