Lutfi Haziri merr detyrë të re në LDK
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka marrë detyrë të re në këtë parti.
Ai do të jetë përgjegjësi i LDK-së për dialogun me Serbinë.
“Dialogu është ndër prioritetet e para të LDK-së. Duke qenë kështu, po e bëj publike që me kërkesën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, unë do të jem përgjegjësi për dialogun dhe bashkëpunimin regjional”, ka shkruar Haziri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se është paralajmëruar nga autoritetet ndërkombëtare që Ballkani Perëndimor nuk mund të vazhdojë të jetojë në këto tensione dhe me këtë kërcënim si ‘bombë’ e kurdisur në Europë.
“Kështu që, po krijohet në momentum i ri për Ballkanin që në kërthizë të krejt problemit ka me qenë Kosova dhe Serbia dhe ka ardhur koha që problemet të zgjidhen njëherë e përgjithmonë, për t’i hapur rrugë të ardhmes së Kosovës, që është Bashkimi Europian, anëtarësimi në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të!”, ka shkruar Haziri.