Lutfi Haziri, politikan i gjeneratës së Rokut, Republikës dhe Reformës
Prej stilit të rockerit në kollaren e politikës – profili i politikanit që nuk njeh humbje personale.
Një rocker nuk preferon të mbajë kollare dhe të vishet me rroba kat. Ndoshta vetëm në raste solemne e speciale, për të respektuar protokollin.
Lutfi Haziri, kandidat për kryetar të LDK-së e ka kapërcyer këtë sfidë dhe shumë të tjera gjatë karrierës së tij të gjatë politike.
Karrierën politike e nisi si 19-vjeçar, në fillet e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan.
Shokët e tij tregojnë se atë e dallonte nga moshatarët e tij stili prej rockeri, në pamje dhe veshje.
Në ngjarjet e para politike, kryesisht kulturore, në kohën e aparteidit, Luta shihej me xhinse ‘të shqyera’, me vath e flokë të gjata. Më vonë tregoi se mban edhe një ‘piercing’ diku në trup.
‘I përkas gjeneratës së rockut” – ishte përgjigja e tij kur pyetej për stilin e tij.
Për pak muaj, Lutfi Haziri e ndryshoi krejtësisht stilin. Nga veshja prej rockeri, kaloi në komplete dhe kollare dhe ky stil tash e 30 vjet i është bërë uniformë.
Por, kush është politikani që nuk njeh asnjë humbje personale?
Për 31 vjet karrierë, Haziri nuk njeh asnjë humbje personale. Kudo që ka garuar, ka triumfuar. Në parti e në institucione.
Këmbëngulësia e durimi e karakterizojnë atë si personalitet, por ai di edhe të rebelohet. Jo pak herë këtë e bëri edhe ndaj partisë që i takon.
Kauzës së tij për bashkimin e Kosovës Lindore me trungun e saj, Republikën e Kosovës, nuk i është ndarë tash e një dekadë, ani pse partia mbajti qëndrim kundër. Këtë kauzë e promovon edhe sot, por tregohet lojal ndaj vendimeve të shumicës në parti.
Shumë i ashpër di të jetë me rivalët politikë dhe njihet si i vetmi politikan në Kosovë që krijon slogane e metafora, të cilat pastaj bëjnë jehonë dhe përfliten shumë nëpër media.
“Nuk kemi me ia fal asnjë sekondë kësaj qeverie…”, e thotë shpesh në raport me rivalët.
Ajo që e dallon Lutën nga të tjerët në politikë, është dinamizmi në veprim.
Ngjashmëritë me Ibrahim Rugovën
Sipas kolegëve të tij, durimi, këmbëngulësia e vizioni, janë tipare ku Haziri ngjason me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kishte shfaqur simpati të veçantë për politikanin e ri nga Gjilani.
Ani se Luta shpesh e përdorë sloganin ‘këpucët e Ibrahim Rugovës nuk i bien tamam askujt’, Luta dhe Rugova e kanë të përbashkët, përpos familjes politike edhe pasionin për muzikën – rokun.
Si rrëfente njëri nga anëtarët e rock bendit “Gjurmët”, kur shumica e urrenin këtë zhanër në Kosovë, në vitet 80-ta, nën pretekstin se ‘Shqipëria s’ka rock e s’duhet të kemi as ne’, ata i kishte motivuar dhe vlerësuar lart Ibrahim Rugova.
Edhe Haziri e ka për zemër muzikën rock.
Si ithtar i reformave, Haziri pritet të reformojë LDK-në me ardhjen e tij në krye të saj, por pa e dëmtuar trashëgiminë e madhe politike të ish-presidentit Rugova.
Karriera politike
Në mars të vitit 1990, u zgjodh kryetar i Degës së Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe në këtë funksion ishte deri në vitin 1997.
Në vitin 1997 u zgjodh zëvendëskryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Haziri i kreu që të dyja këto funksione deri në vitin 2000.
Në gusht të vitit vitin 1999, pas lirimit nga burgu, u emërua zëvendëskryetar i Komunës së Gjilanit, ndërsa në nëntor të vitit 2000, u zgjodh kryetar i parë i po të njëjtës Komunë në zgjedhje të lira, duke u bërë kryetari më i ri i një Komune në Europë.
Në dhjetor të vitit 2004, u zgjodh ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Paralelisht në vitin 2004, Haziri u zgjodh edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gjatë viteve 2005-2007 ka qenë pjesë e grupit politik në bisedimet për statusin final të Kosovës.
Në vitet 2006-2008 është zgjedhur edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, derisa deputet ishte në dy legjislatura, 2007-2010 2011-2014.
Më 24 dhjetor të vitit 2013 është zgjedhur për herë të tretë kryetar i Gjilanit, me votë plebishitare, për t’u rikonfirmuar në dhjetor 2017 sërish në krye të këtij qyteti, për herë të katërt.
Rrjedh nga një familje kryengritësish për liri dhe të drejta të shqiptarëve dhe paraardhësit e tij u vlerësuan lart nga krerët e Kosovës e të Shqipërisë.
Stërgjyshi i tij, Rrustem Haziri dhe gjyshi i tij, Hetem Haziri, janë dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, ndërkaq babai i tij, Emrush Hetem Haziri është dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” nga presidenti i Republikës së Kosovës.
Lutfi Haziri është i martuar me artisten Mirvete Bajrami-Haziri dhe bashkë kanë katër fëmijë./Mediafokus.info/