Lutfi Zharku nuk do të jetë kandidat për deputet
Ish-deputeti i i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Zharku ka vendosur mos të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 6 tetor.
Zharku ka thënë se këtë vendim e ka marrë për t’i hapur rrugë kuadrove të reja të cilat çojnë në forcimin e mëtejshëm të LDK-së në Kaçanik dhe më gjerë.
Postimi i plotë i Zharkut në “Facebook”:
Sot mora pjesë në mbledhjen e kryesisë së degës së LDK-së në Kaçanik të cilët i njoftova me qëndrimin tim që mos të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale që mbahen me 6 tetor 2019. Këtë qëndrim në takime te ndryshme e kam shprehur shumë kohë më parë, dhe e dijnë shumica e kolegëve deputetë të LDK-së, kryetarë të degëve dhe antarë të kryesisë, kurse gjatë kesaj jave e njoftova edhe kryetarin Mustafa dhe nënkryetarët Veliu e Haziri. Jam më se i lumtur që të gjithë kanë insistuar që unë të garoj edhe për një mandat duke më ofruar përkrahje edhe më të madhe se më parë, por i sigurova se moskandidimi im pas 5 mandatave është vullnet i sinqertë për hapje të rrugës për kuadro të reja që qojnë në forcimin e mëtejshëm të LDK-së në Kaçanik dhe më gjerë.
Kryesia e degës së LDK-së në Kaçanik në mënyrë unanime ka vendosur që urologu i njohur dr. Xhevdet Quni të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet që na presin. Jam më se i bindur që Xhevdeti do ta përfaqesojë në mënyrë të denjë LDK-në dhe do të jetë përkrahës i fuqishëm i kryeministres Vjosa Osmani-Sadriu në Kuvendin e Kosovës, e të cilen gjë unë do ta bëj nga selia qendrore e LDK-së.
Me këtë rast dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që anë e mbanë vendit tonë me votën e tyre më sollën në deputetin e 7-të më të votuar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe më përkrahën pa rezervë qoftë si deputet apo ministër. Sot po të kisha mundësi do t’i falenderoja secilin veq e veq personalisht për këtë përkrahje.
Vazhdojmë së bashku në përkrahje të LDK-së dhe kryeministres Vjosa Osmani-Sadriu. Fitorja është e jona!
Faleminderit LDK☀️