Lutjet e Mëngjesit në SHBA, këta janë deputetët e opozitës që kanë marrë ftesë nga Kongresi
Edhe këtë vit një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fund të muajit do të udhëtojnë drejt Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, e cila organizohet më 1 shkurt.
Gazeta Nacionale ka mësuar emrat e shumicës së deputetëve të opozitës që kanë marrë ftesë zyrtare për këtë ceremoni.
Nga Partia Demokratike e Kosovës ftesë nga Kongresi Amerikan ka marrë kryetari Memli Krasniqi dhe deputetet, Ganimete Musliu e Ariana Musliu-Shoshi.
Prej LDK-së, gazeta ka mësuar se ftesë kanë marrë ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe deputeti Armend Zemaj.
Ndërsa, prej AAK-së ftesë për këtë ceremoni ka marrë kreu i partisë, Ramush Haradinaj, dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Gazeta për këtë çështje ka pyetur edhe VV-në. Por, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka nuk ka treguar nëse ndonjë deputet i kësaj partie ka marrë ftesë për këtë ceremoni.
Vitin e kaluar, partia në pushtet në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit ishte përfaqësuar nga deputeti Gazmend Gjyshinca.
Përveç deputetëve, në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve tjera të Kosovës. Zakonisht për ketë ceremoni marrin ftesë edhe përfaqësueses i Presidencës dhe Qeverisë.
Gjithashtu, ftesa marrin edhe disa kryetarë të komunave. Gazeta Nacionale ka mësuar se një ftesë të tillë e ka marrë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bullqi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Skenderajt, e ka bërë publike ftesën për këtë ceremoni.