Aliu për shtyllat e ndriçimit nga Serbia: E kemi të ndaluar t’u ndërhyjmë kompanive ku e blejnë lëndën e parë
Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, i ka mohuar raportimet që ministria të cilën ai e drejton ka importuar shtylla e ndriçimit prej Serbisë.
Por, Aliu ka thënë se ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë.
”Ministria mbikqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo Ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara. Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se si ministri përcakojnë specifikacionet teknike dhe dimensionet, por shton se me ligj e kanë të ndaluar që të favorizojmë një produkt apo një prodhues.
”Sigurisht se ne nuk do të dëshironim që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt, e sidomos nëse mund të sigurohet produkti nga vendet tjera”.
“Prandaj, të gjitha pretendimet që fajësojnë Ministrinë për lëndën e parë që e përdor një kompani private, janë të pavërteta, dhe me tendencë për të dezinformuar dhe mashtruar opinionin publik”, ka shkruar Aliu në Facebook, të mërkurën.