Luzha: Të motivuar maksimalisht për sukses në garën për Kupë të Kosovës

24 prill 2025 | 13:29

Rahoveci ka dominuar stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll. E mbylli edicionin pa humbje të pësuar, ndërsa e kishte vetëm një barazim me Kastriotin. Në plejof “vreshtarët” startojnë nga pozita e parë dhe synojnë ta mbrojnë titullin e kampionit.

Por fillimisht gjithë fokusin e kanë te turneu final i Kupës së Kosovës, që zhvillohet në fundjavë në Ferizaj. Në gjysmëfinale të Kupës, të shtunën nga ora 20:00, Rahoveci luan me Kastriotin.

Mali Luzha ka pasur ngritje të hovshme këtë edicion dhe pritjet prej tij janë shumë të mëdha. Aloja e Rahovecit është optimist para udhëtimit në Ferizaj.

Rahoveci ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës, ndërsa është në kërkim të Kupës së parë.

“Jemi të motivuar maksimalisht për të dhënë më të mirën në turneun e Kupës së Kosovës. Kjo garë është e rëndësishme për ne dhe e shohim si një mundësi të madhe për të treguar kualitetin dhe forcën tonë si skuadër. Forma jonë e deritashme, ku nuk kemi pësuar asnjë humbje gjatë gjithë edicionit në Superligë, është dëshmi e përkushtimit dhe punës së palodhshme të ekipit, stafit dhe gjithë klubit. Kjo na jep dhe motiv shtesë për të synuar trofeun e Kupës”, ka thënë Mali Luzha.

Ai luan te Rahoveci së bashku me vëllaun, portierin Arti Luzha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi pasi e mposhti Getafën po mendon për finalen…