LV-ja: Çështjet kombëtare nuk marrin zgjidhje përfundimtare me integrimin në BE
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar të mërkurën në Tiranë tryezën e dytë me titull: “Shqiptarët dhe integrimi evropian”, si vazhdim i tryezës të mbajtur më 15 maj 2018 në Prishtinë.
Ashtu si në Prishtinë, edhe në këtë tryezë kanë marrë pjesë akademikë, studiues, artistë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të subjekteve politike.
Tryeza në fjalë është hapur nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili, ndër të tjera, ka shpjeguar edhe 5 konkluzat e dala nga tryeza në Prishtinë siç janë: (1) nevoja për një proces integrimi që shihet e vlerësohet si proces i bërjes anëtar dhe jo i vajtjes në BE; (2) rëndësia strategjike e integrimit të njëkohshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor; (3) zhvillimi ekonomik dhe drejtësia si prioritet; (4) harmonizimi i një politike të jashtme të përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe e shqiptarëve në përgjithësi; dhe (5) puna me pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën.
Në këtë tryezë, pjesëmarrësit janë pajtuar me konkluzat e nxjerra nga tryeza në Prishtinë, duke shtuar edhe konluaza të tjera si në vijim:
1. Çështjet kombëtare as nuk shuhen dhe as nuk marrin zgjidhje përfundimtare me integrimin në BE. Rasti aktual i Katalunisë në Spanjë është shembull që e vërteton këtë fakt.
2. Një nga pengesat më të mëdha të integrimit të shqiptarëve në procese më të gjera, përfshirë atë në BE ka qenë status quo-ja në përfaqësimin politik shqiptar, e cila duhet të ndryshojë duke ndryshuar edhe cilësinë e përfaqësueseve në parlamente.
3. Keqkuptimi dhe keqinterpretimi i Bashkimit Evropian vetëm si proces teknik nga jashtë dhe si mbikëqyrje formale standardesh nuk e ka lejuar shoqërinë shqiptare të shprehet aktivisht në bazë të elementeve dhe aftësive përbërëse të integrimit.
4. Një nga shtysat më të rëndësishme të integrimit evropian nis me njohjen sa më të plotë të aftësive si kolektivitet kombëtar, dh jo si përdorim instrumental i aktorëve civilë, politikë dhe ndërkombëtarë.
5. Bashkërendimi dhe bashkimi i tregjeve dhe prodhimeve të Kosovës e Shqipërisë.
6. Integrimi kulturor mbarëkombëtar është domosdoshmëri që duhet të realizohet paralelisht me integrimin evropian.
7. Platforma e çështjes kombëtare nuk mungon, siç këmbëngulet në të folurin mbizotërues, por ajo është shpallur që në Lidhjen e Prizrenit, ndaj sot nuk duhet të reduktohet në ekskluzivitet qeveritar, por në një akt të përbashkët intelektual politik.
/Epoka e re/