LV-ja: Dekada e dytë, angazhim për të pasur Kushtetutë të vullnetit publik e demokratik

09 prill 2018 | 14:34

Në ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, drejtuesit e Lëvizjes  Vetëvendosje (LV) kanë folur mbi pamjaftueshmërinë e kësaj Kushtetute dhe shkeljet që i kanë bërë zyrtarët dhe institucionet më të larta të shtetit të Kosovës.

Deputetja e LV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se në dekadën e parë të Kushtetutës së Kosovës nuk kanë se si mos t’i theksojnë pengesat e vazhdueshme të kësaj Kushtetute që ishte kompromis dhe jo shprehje e vullnetit publik e demokratik.

“Në draftimin e Kushtetutës nuk u respektua parimi i kontraktualizmit, pra që Kushtetuta të ishte një kontratë e përbashkët e cila do të shprehte vullnetin e përgjithshëm, pra për shkrimin e saj do të duhej të pyetej secili, sepse është akti më i lartë. Por në fakt në Kosovë, Kushtetuta nuk është akti më i lartë sepse mbi të e kemi pasur në vazhdimësi pakon e Ahtisarit”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputeti tjetër i LV-së, Sami Kurteshi, ka folur për shkeljet që i janë bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga vetë krerët e institucioneve që nga themelimi i saj.

“Duke filluar nga vetë momenti i miratimit, pa të drejtë diskutimi nga deputetët e Kuvendit, momenti paraqitjes jo nga kryesuesi i Kuvendit por nga kryeministri, atë kohë Thaçi, ishte shkelje më vete si dhe miratimi i Flamurit të Republikës ishte momenti i veçantë tjetër i shkeljes”, është shprehur ai.

Sipas Kurteshit, dekada e dytë duhet të jetë angazhim shoqëror për të pasur një Kushtetutë që do të jetë shprehje e vullnetit publik e demokratik.

“Një Kushtetutë që na kthen sovranitetin, integritetin, ushtrinë, demokracinë, barazinë e drejtësinë”, është shprehur Kurteshi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH),  do të mbajë…