LV-ja dëshiron shoqëri të nënshtruar, i pengon zëri im i lirë
Avokati Dastid Pallaska ka thënë në emision Pressing në T7 se Lëvizja Vetëvendosje po mundohet ta shtypë mendimin e lirë. Për këtë ai e merr shembull interpretimin e normave ligjore nga kjo parti. Ai thotë se LV-së i pengon fjala e lirë e ekspertëve juridikë sikur ai.
“LV-ja dëshiron shoqëri të nënshtruar, i pengon zëri im i lirë”, ka thënë Pallaska. E në anën tjetër, ka thënë se LV-ja e dëshiron elektoratin e zemëruar.
“E dëshiron elektoratin e zemëruar dhe të armiqësuar ndaj partive të tjera. Populli thotë që kur je i zemëruar mos merr vendime, por prit derisa të qetësohesh. Këta e bëjnë të kundërtën”, ka shtuar ai.
Pallaska ka ngrehur një paralele mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe presidentit Hashim Thaçi. “Thaçi në vitin 2007 është Albin Kurti i vitit 2020. Ai ka qenë zëri i qytetarëve atë kohë. LDK-ja atë kohë kishte një qeverisje të dobët dhe lajmet për korrupsion bënin normën. Thaçi vinte dhe premtonte sundim të ligjit dhe inskenonte disa arrestime spekatakolare”, ka deklaruar Pallaska.