LV-ja dhe AAK-ja shpallin zgjedhjet e brendshme
Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka shpallur zgjedhjet e brendshme të përgjithshme. Sipas LV-së, nga 15 marsi, secili anëtar i kësaj partie do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.
“Lëvizja Vetëvendosje është organizata me mbështetjen më të madhe në vend, çka duhet të reflektohet në struktura edhe më të fuqishme, e të cilat do të vijnë si rezultat i zgjedhjeve që do të jenë të drejtpërdrejta, të lira e demokratike. Në 30 qendra të LV-së në Kosovë, anëtarët e e saj do të kenë mundësi që përmes parimit ‘një anëtar, një votë’ të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vetpropozohen”, është thënë në njoftimin e LV-së, e cila ka ftuar të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor.
Edhe partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur për datën e procesit të brendshëm zgjedhor, shkruan “Epoka e re”.
Sipas një njoftimi nga kjo parti, është bërë me dije se në javën e parë të qershorit do të mbahet Kuvendi qendror i AAK-së.
“Në takimin e mbajtur në Selinë e Aleancës, për të diskutuar rreth zgjedhjeve të brendshme partiake, Këshilli Drejtues ka miratuar numrin e delegatëve që do të përfaqësojnë degët e AAK-së në Kuvendin qendror. Gjithashtu Këshilli Drejtues ka vendosur që data e mbajtjes së Kuvendit të jetë në javën e parë të qershorit 2022, kur dhe pritet që të përmbyllen të gjitha kuvendet e degëve të AAK-së. Kryetari Haradinaj ka vlerësuar lartë angazhimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe ka uruar sukses në zgjedhjet e radhës”, ka njoftuar AAK-ja.