LV-ja dhe LDK-ja e mendojnë rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, AAK-ja e kërkon ShBA-në në tavolinë

24 janar 2021 | 14:41

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vlerësohet si i pa alternativë edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por kësaj radhe, partitë politike e shohin si opsion edhe rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Për dallim nga e kaluara, ku vetëm Lëvizja Vetëvendosje insistonte në këtë masë, tashmë zëra të tillë po dëgjohen edhe në LDK.

Ndërsa në partinë e Ramush Haradinajt kërkojnë involvimin e sërishëm të ShBA-së për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë që përfshinë njohjen reciproke. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti është  shprehur i vendosur se marrëdhëniet me Serbinë, pas zgjedhjeve do të ndërtohen vetëm mbi bazën e reciprocitetit.

“Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet madje mbi bazën e kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur. Gjithçka duhet të nis me dokumentimin dhe adresimin e dëmeve të luftës, me evidentimin dhe gjetjet e personave të zhdukur dhe ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës”, ka thënë Kurti në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të LV-së. Ani pse para shtatë muajsh, LDK-ja si partia kryesore në qeveri largoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë,  tashmë kjo ide po shihet si njëra ndër opsionet më reale ndaj shtetit fqinj.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh kandidat për deputet nga kjo parti, Faton Bislimi ka thënë për “Kosovapress”, se në vazhdimësi LDK-ja ka pasur qasje proaktive për dialogun me Serbinë, por sipas tij reciprociteti mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara.

“LDK-ja në vazhdimësi ka pasur një qasje pro aktive të dialogut, ne s’kemi pritur të bëhemi vetëm instrument i pjesëmarrjes në dialog. Por në çdo aspekt edhe në koordinim të ngushtë me partnerët, veçanërisht ShBA jemi munduar që procesin e dialogut të kthejmë në një fazë përmbyllëse të tij dhe rezulton me njohje të dyanshme në mënyrë që çështja e marrëdhënieve tona me fqinjët tanë të rregullohet njëherë e përgjithmonë…reciprociteti është politikë që gjendet në tavolinën e opsioneve dhe mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara. Unë besoj që LDK-ja ka tregu gatishmërinë e saj që çdo mjet të saj demokratik ta lë të hapur si mundësi e arritjes së qëllimeve të caktuara politike. Këtë rast edhe me Serbinë, pse jo. Ne e kemi parë dhe vazhdojmë të shohim edhe reciprocitetin në kuadër të këtyre mjeteve politike”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, me njohjen reciproke si temë të vetme në tavolinë.

“Ne dialogun e shohim duke qenë në tavolinë ShBA-të si partneri dhe miku i përjetshëm i Kosovës. Ndërsa të tjerët do t’i shohim si partnerë që mundësojnë një dialog të mirëfilltë duke pasur parasysh gjithmonë zgjidhjen finale që është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Temat tjera mund të diskutohet pas njohjes, por konsiderojmë se njohja është tema e cila duhet të jetë në tavolinë”, ka thënë ai.

“Kosovapress” ka provuar të marrë një qëndrim për dialogun edhe nga PDK-ja, mirëpo zyrtarë të saj nuk kanë qenë të qasshëm për t’u deklaruar rreth kësaj teme.

Në anën tjetër, ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri dialogun me Serbinë nuk e sheh si temë që pritet të hapet shpejtë pas zgjedhjeve në Kosovë.

“Kjo është një temë shumë e rëndësishme, varet nga mënyra si do të ndërtohen institucionet e Republikës dhe përbërja e tyre në periudhën e pas zgjedhjeve. Si temë mund të ri aktualizohet edhe për shkak të faktorit ndërkombëtar. Por kjo varet edhe nga përbërja që do të ketë qeveria e Kosovës dhe nga përbërja e institucioneve të tjera të Republikës. Prandaj për këtë arsye vlerësojë se tash për tash partitë politike nuk kanë ndonjë fokus aty dhe si temë nuk është e hapur dhe nuk pritet të hapet shpejtë”, ka thënë Imeri.

Vitin e kaluar janë zhvilluar një sërë takimesh në Bruksel e Uashington me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo një gjë e tillë nuk është arritur përveç një marrëveshje zotimesh ndërmjet dy shteteve në Shtëpinë e Bardhë, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.

Ndërkohë prej muajit shtator të vitit të kaluar liderët institucional të dy shteteve nuk u takuan, pas kërkesës së palës serbe për të hapur temën e themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, e cila në mënyrë kategorike është refuzuar nga Kosova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka…