LV-ja dhe LDK-ja nuk e meritojnë ndihmën e ShBA-së për t’u pajtuar
Njohësi i proceseve politike, Faton Abdullahu, duke komentuar situatën politike në vend, ka thënë se LV-ja dhe LDK-ja nuk e meritojnë ndihmën e ShBA-së për t’u pajtuar.
“Nëse përfaqësuesi special i presidentit Trump, Grenell, do të përpiqej që ta ndihmoj LV-në dhe LDK-në me çdo kusht që ta bëjnë qeverinë kjo do të kishte disa efekte. Në rend të parë kjo do të nënkuptonte se ai, apo dikush si ai, herë pas herë do të duhej të involvohet që t’i pajtoj këto dy forca politike me qëllim që të shtyhen proceset të ndryshme përpara.
Pasur parasysh se sa shumë mospajtime, dallime e akuza ka pasur ndërmjet LV-së dhe LDK-së, shfaqura sidomos muajve të fundit, sforcimi nga SHBA-të, që ata të bëjnë qeveri do të ishte edhe gabim sepse për më keq kjo qasje do ta bënte më pas obligativ involvimin e vazhdueshëm”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.
Abdullahu ka theksuar se mosbesimi i ndërsjellë, kryeneçësia politike dhe dallimet ndërmjet LV-së dhe LDK-së i ka dekurajuar shumë SHBA-të që ta bëjnë çfarëdo hapi në drejtim të ofrimit të ndihmës për arritjen e marrëveshjes.
“Ata si duket janë të bindur se për arritjen e këtij koalicioni nuk është e nevojshme vetëm një shtytje, apo vetëm një kërkesë apo sugjerim miqësor nga ana e tyre. Ata e kanë kuptuar se kështu si janë dhe çfarë ishin tash disa muaj, thjeshtë këto dy subjekte nuk e meritojnë as sugjerimin, as një shtytje, as edhe ndihmën konkrete në këtë drejtim. Prandaj qëndrimi i Grenellit për këtë çështje se ‘jemi këtu për të nxitur zhvillim ekonomik e punësim’ është shumë korrekt për më shumë edhe respektues ndaj votuesve dhe ndaj institucioneve tona. Prandaj të lihen që LV dhe LDK të gjejnë vetë rrugën që ta bëjnë apo mos ta bëjnë qeverinë, është qasja më e drejtë e SHBA-së për të gjithë ne”, ka shkruar Abdullahu.
/Epoka e re/