LV-ja dhe LDK-ja pajtohen për të bashkqeverisur
Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë pajtuar për të bashkqeverisur së bashku.
Kjo është bërë me dije pas një takimi që patën të dy liderët e këtyrë partive.
Pas këtij takimi kanë folur Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
“Ne sapo zhvilluma takimin e parë për mundësitë e bashkqeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve. Treguam vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë”, ka thënë Osmani, raporton “Epoka e re”.
Ajo ka thënë se qeveria e ardhshme do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive.
Osmani ka bërë me dije se të dyja partitë do të formojnë grupet punese për të diskutuar detajet e bashkqeverisjes.
Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se kanë arritur pajtim për bashkqeverisje me LDK-në.
“Kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët që ta zbatojmë, një qeveri efikase dhe për shtet sa më të fuqishëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se ekipet e të dyja partive do të takohen për të harmonizuar programet për qeverinë e re.
“Jemi pajtuar që të qeverisim bashkë”, është shprehur Kurti.
Pavarësisht interesimit të gazetarëve se si do t’i ndajnë ministritë, postin e kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit, Kurti ka thënë se do të presin njëherë rezultatin përfundimtar të KQZ-së.
“Kur do ta kemi rezultatin final do ta shihni. Unë nuk do të besoj që do të mund të ndryshojë ai. Besoj se PDK-ja është në opozitë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do të qeverisin së bashku dhe as kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë Kurti.
/Epoka e re/