LV-ja fajëson BE-në për heqjen e vizave për serbët me pasaporta ilegale, AAK-ja e sheh si cenim i sovranitetit
Vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët serb të Kosovës të cilët kanë pasaporta të Serbisë, nga Qeveria kanë thënë se është bërë pa u konsultuar me Kosovën. Ndërsa, opozita po e sheh si vendim që e cenon sovranitetin e vendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë, se ky vendim është vendosur në formë arbitrare dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejt në sovranitetin e Kosovës.
“Kjo në fakt nuk është bërë në konsultim me Qeverinë e Kosovës. Fillimisht është vendosur në formë arbitrare, nuk janë dëgjuar dhe analizuar pra në teren të dhënat edhe analizat me aq sa unë kam informacion dhe e dyta kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe minim në sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexhaj për Ekonomia Online.
Rexhaj ka deklaruar institucionet ndërkombëtare po kanë më shumë konsideratë për Serbinë së sa për Kosovën, e kjo po ndodh pavarësisht asaj se Serbia duket hapur se është pala jo-konstruktive.
“Është e papranueshme, ne jemi shtet i pavarur dhe natyrisht kemi marrëdhënie bilaterale me BE-në dhe mendoj që në këtë kuptim edhe atëherë kur është bisedu pala e Kosovës i ka dhënë arsyet e veta dhe në fakt kjo është zhvendos në formë automatike të shpejt dhe e ri-përsërisë edhe njëherë duke e minu pra sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexha.
“Tash Qeveria me institucionin ndërkombëtarë do të bisedojë në kuptimin e dialogut, mirëpo ne shprehim indinjatën e thellë sepse përballë kërkesave të shtetit serb BE-ja, gjithmonë, sidomos kohëve të fundit pra po duket sikur po e ledhaton Serbinë. Dhe marrë parasysh se Serbia po është pala jo-konstruktive në dialog, e cila po e sulmon Kosovën në aspektin e sovranitetit dhe të përfaqësimit ndërkombëtar, e në anën tjetër mendoj që në këtë rast është dashur që ta themi në minimum të bashkëbisedimit të pyetet pra Kosova sepse po merret një vendim për qytetarët e Kosovës sepse pa dallim qytetarët serb që jetojnë në Republikën tonë janë edhe qytetarë të Kosovës, pra janë kosovarë”, ka vijuar deputeti.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se ky vendim nga Bashkimi Evropian është një alarm për Qeverinë dhe në rast të praktikimit të saj, atëherë do të jetë një hap i radhës në acarim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Është një alarm për qeverinë dhe duhet të veprojnë në atë mënyrë që kjo të mos ndodh për shkak se nëse kjo vërtetë është faktike dhe bën të realizohet në praktikë kjo nuk do të i shërbejë qetësimit të situatës përkundrazi ky do të jetë një hap më tej drejt acarimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Dreshaj.
Ai ka shtuar se ky vendim po ndikon drejtpërdrejt në cenim të sovranitetit.
“Ky është një vendim shumë i keq për Kosovën në veçanti është vendim i keq edhe për Bashkimin Evropian për shkak se praktikisht po e cenon sovranitetin e vendit duke u përzier në mënyrë flagrante drejtpërdrejtë në dokumentet e udhëtimit jashtë vendit”, ka shtuar ai.
Dreshaj për këtë vendim ta pafavorshëm në drejtim të Republikës së Kosovës ka thënë se një faj bie mbi udhëheqjen jo të duhur nga Ministria e Punëve të Jashtme e që sipas tij ky dikaster nuk po udhëhiqet nga drejtuesit, mirëpo atë po e bën presidentja Vjosa Osmani.
“Mendoj se është dështim i politikës së jashtme të vendit, nuk kemi asnjë njohje asnjë prononcim, asnjë promovim praktikisht politikën e jashtme është duke e udhëhequr zonja Osmani, presidentja e vendit ndërsa Qeveria është krejtësisht e anashkaluar. Unë i shoh si vizita të cilat i kanë shërbyer vendit në drejtim të internacionalizimit të çështjes së vendit”, ka thënë deputeti Dreshaj.