LV-ja fajëson Ramën për anulimin e seancës së Kuvendit Komunal të Prishtinës

17 nëntor 2023 | 16:19

Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar të paligjshëm dhe të parregullt, anulimin e seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Sipas grupit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë, anulimi i seancës ka ndodhur me urdhër të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.

Në konferencë për media, kryetari i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se pushteti e ka anuluar seancën të cilën e ka thirrur vetë.

“Për sot ka qenë e ftuar një seancë e jashtëzakonshme me ftesë të kryetarit Rama, ku do të shqyrtoheshin tetë pika të rendit të ditës, kryesisht rregullore të cilat kanë të bëjnë me jetën praktike të qytetarëve të Prishtinës. Mirëpo, sot jemi dëshmitarë të një akti të paprecedentë, ku me urdhër të kryetarit Rama kjo seancë e jashtëzakonshme u anulua, akoma pa filluar mirë. Edhe pse ishin të gjitha kushtet, qoftë teknike, qoftë kuorumi dhe gjithçka ishte e gatshme për të filluar, në momentin e fundit nga drejtuesi i seancës, u njoftuam se kryetari ka bërë kërkesë për anulimin e seancës”, ka thënë Sveçla, raporton “KP”.

Më tutje, ai ka thënë se “koalicioni LDK-PDK është i interesave të ngushta, të grupeve të caktuara të cilat kur nuk përputhen krijojnë bllokadë”.

Sipas tij, koalicioni qeverisës e ka lëshuar sallën me urdhër të kryetarit Përparim Rama.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga viti…