LV-ja implikon AKI-në dhe prokurorinë për rastin Dehari, pretendon se urdhri është dhënë nga Thaçi e Veseli
Lëvizja Vetëvendosje ka implikuar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë(AKI) Policinë e Kosovës, Prokurorinë për arrestimet e aktivistëve të saj lidhur me sulmin kundër Kuvendit të Kosovës, ndërsa urdhri sipas tyre ka ardhur direkt nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.
Përmes një konference për medie, përfaqësuesi i këtij subjekti politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka deklaruar se ky rast është bërë me urdhër politik dhe inskenim për të fshehur autorët e vërtetë të këtij rasti.
“Më 4 gusht 2016 ndodhi sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit. Ky ishte inskenimi i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit te Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimi i LV-së me qëllime te caktuara politike. Prej datës 5 gusht 2016 deri me 25 gusht, sipas Policisë se Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë. Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashkë me 5 aktivistë tjerë të LV-së për këtë sulm”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se arrestimet kishin ndodhur për të penguar protestën kundër demarkacionit.
“Ky arrestim ndodhi për të parandaluar dhe penguar protestën e opozitës më 1 shtator 2016, para parlamentit të Kosovës kundër demarkacionit. Me urdhër politik nga maja e shtetit te involvuar ishin AKI, Policia, prokuroria dhe gjykata, ku prokurori Abdurrahim Islami para pensionimit kërkon arrestimin e aktivisteve, ndërsa urdhrin e lëshon gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, po ashtu pak para pensionimit”, ka thënë Kurteshi.
Fillimisht, kjo parti para hyrjes së objektit të prokurorisë kanë vendosur disa pankarta ku është kërkuar përgjegjësi e drejtësi për Deharin. /EO