LV-ja inicion kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë
Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka njoftuar se kanë iniciuar kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë elektrike.
Shefja e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, në konferencë për media ka thënë se kjo parti ka shprehur gatishmëri për krijimin e këtij komisioni.
“Kemi vendosur që të procedojmë kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor parlamentar. Ne, deputetët e LV-së iniciojmë kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor parlamentar. Propozimi ynë përmban disa tema shtesë si objekt të hetimit. Kur kanë prezantuar kërkesën me 40 nënshkrim as nuk kanë ardhur të kërkojnë bashkëpunim mos me rënë në kurthin që ishin duke rënë”, ka thënë ajo.
Ndërsa deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka thënë se partitë opozitare kanë paraqitur kërkesë të palogjikshme për themelimin e Komisionit Hetimor, duke thënë se kanë rënë në kurthin e tyre.
“PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja paraqiten një kërkesë ta palogjikshme. Për disa muaj me radhë opozita gjenden në një panik tash e disa muaj. Në bazë të kërkesës sonë gjithsesi do t’i takojë kryesimi opozitës. Ne vazhdimisht kemi qenë në mbështetje të themelimit të Komisionit Hetimor parlamentar. Opozita është vetë kurthuar. Kështu është nga 2010 edhe në bazë të ligjit”, ka thënë Rrustemi.