LV-ja insiston që Thaçi dhe Veseli të dëshmojnë në Komisionin hetimor për Energjinë
Ish-ministrat Justina Shiroka-Pula dhe Bedri Hamza janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve nga Komisioni Hetimor për energjinë, i cili do të hetojë proceset vendimmarrëse në këtë sektor për periudhën 2006-2022.
Listën e të ftuarve e ka bërë me dije anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.
Por, deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe dy emra. Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, kanë qenë dy propozimet e deputetit të LV-së.
Muja ka propozuar të ftohen si dëshmitarë edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.
Pastaj në lidhje me vendimmarrjen e ZRrE-së, deputeti Muja ka propozuar të ftohet edhe ish-kreu i Bordit të KEK-ut, Berat Rukiqi, i cili që disa vjet udhëheq Odën Ekonomike të Kosovës.
Po ashtu, ai ka propozuar ftesën për drejtorin e KEDS-in, biznesmenin turk, Alpin Dogan.
Lista e propozuar nga Muja nuk është shqyrtuar dhe votuar ende nga Komisioni Hetimor, pasi deputetët e opozitës nuk janë kthyer në takim pas një pauze.