LV-ja kërkon hetimin e shkaqeve të helmimit nga pakot e ardhura prej Serbisë
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj helmimit të punonjësve të cilët janë duke u marrë me numërimin e votave në KQZ.
Kjo lëvizje ka thënë se helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik.
Vetëvendosje e cila drejtohet nga Albin Kurti, ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që t’i hetojnë shkaqet e këtij helmimi.
“Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë. Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, është thënë në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
/Epoka e re/