LV-ja krenohet me punën në Kuvend: Miratuam 102 projektligje dhe buxhetin më të madh ndonjëherë
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LV) ka mbajtur konferencë për medie ku është krenuar me punën e Kuvendit gjatë këtij viti.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se brenda një viti janë miratuar 102 projektligje.
Po ashtu, ajo ka thënë se gjatë këtij viti, Kuvendi ka miratuar buxhetin më të madh ndonjëherë.
“Në seancat e mbajtura janë miratuar 102 projektligje përderisa 49 janë në procedurë. Gjatë këtij viti Kuvendi ka miratuar buxhetin me te madh të miratuar ndonjëherë, 3.2 miliardë në afatet e parapara sipas rregullores. Kuvendi ka ratifikuar 27 marrëveshje ndërkombëtare”.
“Në Kuvend janë parashtruar 239 pyetje parlamentare në funksion të përgjegjësisë së qeverisë. Grupi ynë parlamentar ka pasur tri nisma ligjore. Kuvendi ka pasur mbarëvajtjen më të mirë ndonjëherë në raport me takimet e komisionit parlamentar për Stabilizim – Asociim”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërsa deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se në legjislaturën aktuale po bëhet puna më e mirë në krahasim me legjislaturat e kaluara.
“Është puna më e mirë që është bërë në miratimin e ligjeve krahasuar me legjislaturat e kaluara. Puna kryesore në Kuvend është ajo që bëhet në komisione që shpeshherë është jomjaftueshëm publike”.
“Gjatë këtij vitit janë trajtuar 213 projektligje në komisione. Kemi pasur raportime të ministrave e drejtuesve të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Rrustemi.