LV-ja kritikon Komunën e Prishtinës për mosrregullimin e shkallëve në lagjen ‘Arbëria’
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit për mosrregullimin e shkallëve në lagjen “Arbëria” në kryeqytet. “Ishin premtuar 120 ditë punë për rregullimin e shkallëve të ‘Arbërisë’ nga ana e Komunës së Prishtinës që nga marsi i vitit 2018 kur kanë filluar punimet. Por edhe tash që jemi në janar të vitit 2019 shkallët ende nuk kanë përfunduar.
Pra, më shumë se gjashtë muaj vonesë. Shkallët e ‘Arbërisë’ janë arterie e rëndësishme për qarkullim të lagjes dhe për lidhjen e saj me qendrën e qytetit, veçanërisht kur dihet se ato shërbejnë si vazhdimësi e rrugës ‘UÇK’, duke e lidhur parkun ‘Arbëria’ me Sheshin ‘Adem Jashari’. Në vitin 2018 Komuna e Prishtinës kishe premtuar fillimin e shumë projekteve në qytet, përfshirë ndërtimin e katër parqeve të reja. Shkallët e Arbërisë janë një nga projektet e rralla kapitale të filluara në fillim të vitit, por që po vonohen për shkak të neglizhimeve nga administrata e komunës”, është thënë në reagimin e Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar ekzekutivin e Komunës së Prishtinës që sa më parë të nisin projektet që janë me rëndësi për qytetin dhe të mos i zvarrisin ato pak punë që mezi kanë arritur t’i fillojnë. “Komuna e Prishtinës po përkeqësohet përditë duke pasur probleme me furnizim me ujë, probleme me parkingje, me trotuare të zaptuara, me mungesë rrugësh, ndotje enorme të ajrit, me trafik të rënduar, pa zgjidhje për trafikun urban dhe shumë probleme të tjera që po mblidhen përditë”, është thënë në këtë reagim.
/Epoka e re/