LV-ja kritikon qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar menaxhimin e pandemisë nga qeveria Hoti, duke thënë se planin e hapjes graduale e ka bërë në shpërputhje të plotë me atë plan që rekomandohet nga ekspertët shëndetësorë, e për të cilën kanë thënë se u nis nga qeveria Kurti.
Deputetja Fitore Pacolli, ka thënë se tani është koha kur duhen politika të reja dhe kreativitet për t’u përshtatur në normalitetin e ri.
“Ajo që duhet të kuptojë qeveria aktuale është se pandemia do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë. Disa gjëra mund të kthehen në normalitetin që kishim para pandemisë por shumë prej tyre nuk do të kthehen. Mbyllja e disa shërbimeve siç aplikuam në fillim apo gjendja e jashtëzakonshme, e cila duket se është masa që më së shumti i konvenon kësaj qeverie, nuk janë zgjidhje. Nuk janë zgjidhje as vazhdimi i politikave të para situatës pandemike”.
“Ky normalitet i ri kërkon përgatitje, koordinim, planifikim e mbi të gjitha bashkëpunim dhe mirëbesim ndërmjet shtetit dhe qytetarëve. Kërkon qeveri të përgjegjshme që aplikon politikat sociale të cilat ofrojnë siguri dhe mbështetje tek qytetarët e politika të mira që nxisin ndjenjën e përgjegjësinë shoqërore e individuale ndaj kujdesit për veten dhe të tjerët”, ka thënë Pacolli në një konferencë për medie.