LV-ja kundër versionit aktual për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit

10 prill 2019 | 15:22

Lëvizja Vetëvendosje iu ka dal në krah qytetarëve të Komunës se Rahovecit, të cilët po e kundërshtojnë versionin aktual për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.

Në një konferencë për medie, deputeti i këtij subjekti politik, Liburn Aliu, ka thënë se miliardat të mos shkojnë për asfalt rrugësh paralele që shkatërron tokat bujqësore, por për investime zhvillimore. “Përse të shpenzohen 1 miliardë euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, në mungesë të ideve zhvillimore dhe zonave industriale, infrastrukturën e cila i mbyt potencialet e zonës qeveria e shet si investim zhvillimor. “Në Rahovec ka nevojë të bëhet rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë dhe mbrojtja e tij nga keqshfrytëzimi, subvencionimet e projektet që avancojnë teknologjinë përpunuese të prodhimeve bujqësore. A nuk do të ishte më mirë që ato një miliardë euro të shkonin në investime për zhvillim ekonomik të të njëjtavea zona?”, ka shtuar Aliu.

Qytetarët e Rahovecit prej javësh po e kundërshtojnë mënyrën se si është vendosur traseja e autostradës pa i pyetur dhe duke i anashkaluar nevojat e tyre. Peticioni i nisur prej tyre i ka kaluar 5000 nënshkrime për të mbrojtur tokat bujqësore nën ujitje dhe komasacion nga një mur i pakalueshëm i cili u bllokon qasjen jetike në Drinin e Bardhë.

Javën e kaluar Komiteti drejtues ndërministror për zhvillimin e projektit i drejtuar nga Ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Respektimi i të drejtave të punëtorëve dhe respektimi i ligjit…