LV-ja: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, cenim i sovranitetit shtetëror
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, duke thënë se kjo paraqet cenim të “integritetit dhe sovranitet shtetëror”, pasi sipas LV-së, Serbia me këtë rast po e trajton Kosovën “efektivisht si pjesë të saj”.
“Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, të postuar në rrjetin social “Facebook”.
Sipas kësaj LV-së, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së, me lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ka legjitimuar pretendimet e Serbisë.
“Është përpjekje tinëzare e Qeverisë së përmbytur në varësinë nga Lista Serbe, se kinse nuk po votohet në Kosovë, por vetëm po grumbullohen votat nga OSBE. Qeveria e demaskuar tashmë po përpiqet të maskojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, që do të mbahen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë, të organizuara nga autoritetet e saj në mes të ditës dhe në kundërshtim të hapur me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LV-së.
Sot qytetarët serbë që banojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të votojnë për zgjedhjet parlamentare serbe.
Reagimi i plotë i LV-së:
Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke e trajtuar Kosovën edhe efektivisht si pjesë të saj, është cenim i integritetit dhe sovranitetit shtetëror. Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës.
Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime është strukur përballë ndërhyrjeve të Serbisë. Me lejimin e këtyre zgjedhjeve, po përligjen dhe legjitimohen pretendimet e Serbisë.
Pas heqjes së masave të reciprocitetit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, kjo Qeveri brenda pak ditësh ka dorëzuar gjithçka që ka të bëjë me mbrojtjen e interesave shtetërore dhe integritetin e shtetit të Kosovës.
Kjo mënyrë e votimit, kur një shtet hapë vendvotime në territorin e një shteti tjetër është e pashembullt. Votues serbë ka edhe në vende tjera të rajonit, por Serbia askund tjetër nuk mund të hapë qendra të votimit, madje as në “ Republika Srpska”.
Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë shumë më shumë se sa për votën e serbëve janë ushtrim efektiv i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, nën një kohë kur Kosova ka marrë tatëpjetën me mohimin e subjektivitetit të saj sidomos para takimit të paralajmëruar më 27 qershor në Uashington.
Është përpjekje tinëzare e Qeverisë së përmbytur në varësinë nga Lista Serbe, se kinse nuk po votohet në Kosovë, por vetëm po grumbullohen votat nga OSBE. Qeveria e demaskuar tashmë po përpiqet të maskojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, që do të mbahen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë, të organizuara nga autoritetet e saj në mes të ditës dhe në kundërshtim të hapur me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Rruga e nisur nga Qeveria e dalur nga vullneti i qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, duke vënë palëkundur barazinë dhe reciprocitetin, po shembët e po i vihet kundër shtetit të Kosovës nga kjo Qeveri ilegale dhe pa mbështetje popullore. Serbët e Kosovës, shtetas të saj, do të duhej të votonin si votues jashtë shtetit, ashtu siç votohet kudo në botë, qoftë përmes postës, qoftë në hapësirat e misioneve diplomatike. Edhe Kosova nuk do të duhej të përbënte përjashtim nga si sillen dhe veprojnë shtetet e pavarura kudo, madje edhe vendet e rajonit. Kjo pabarazi e Kosovës përballë Serbisë mbi çkado tjetër është heqje dorë nga vetja si shtet i pavarur.
(M.Q / Epoka e re)