LV-ja mbështet aksionin në veri, policia ka kapacitete për ta luftuar krimin
Lëvizja Vetëvendosje (LV) nëpërmjet një deklarate për medie ka vlerësuar se aksioni i sotshëm në veri dëshmon se Policia e Kosovës ka aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhrat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë.
“Kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë, përfshirë këtu pjesën veriore të vendit tonë. Kjo dëshmon se policia jonë ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhrat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë”, është thënë në deklaratën e Vetëvendosjes.
Sipas kësaj partie, komunat në veri të Ibrit janë në Republikën e Kosovës sikurse të gjitha komunat e tjera dhe sa më pak që zyrtarët e Serbisë flasin për çështjet e Kosovës aq më shumë paqe dhe siguri për të gjithë do të kemi.
“Në anën tjetër, nuk duhet harruar se krim të organizuar e korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri por gjithandej vendit tonë. Edhe komunat në jug të Ibrit janë në shtetin tonë dhe askush nuk bën të jetë mbi ligjin apo jashtë tij”, është thënë më tutje në deklaratë.
Vetëvendosje ka thënë se të gjithë të arrestuarve duhet t’iu garantohet trajtim ligjor, në ruajtje të dinjitetit njerëzor, dhe gjyqësi e drejtë, e paanshme dhe profesionale.
“Pjesëtarëve të plagosur të policisë sot, u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë”, është theksuar në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje.
/Epoka e re/