LV-ja mbështet krijimin e komisionit hetimor për rastin e 26-vjeçarit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nëpërmjet deputetes Eliza Hoxha, të martën ka kërkuar krijimin e një Komisioni hetimor të posaçëm për hetimin e vdekjes së të riut nga Gjilani në Qendrën e Studentëve, e cila është duke u shfrytëzuar si karantinë për personat që janë duke u kthyer nga vendet e ndryshme të botës.
Një komision i tillë mbështetet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila drejton qeverinë në detyrë.
Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka, ka thënë se kjo lëvizje e mbështet krijimin e një komisioni të tillë, por vetëm si masë të fundit para se të shteren krejt masat e tjera.
“Si masë e fundit në rast se kjo mund të jetë e pamjaftueshme, ne si deputetë të Vetëvendosjes e mbështesim edhe një hetim parlamentar lidhur me këtë çështje. Në rast se deputetët e shohin të nevojshme që të ketë një Komision Hetimor Parlamentar, patjetër që e mbështesim”, ka thënë Uka pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi.
Më tutje, Uka ka thënë se prokuroria duhet ta trajtojë me prioritet rastin e 26-vjeçarit. (L.G: ‘Epoka e re’)