LV-ja mburret që përkundër sanksioneve mbajtën Hetemin në zyre, godasin analistët me video-propagandistike
Me rëndësi të përgënjeshtrohen opinionistët si Baton Haxhiu, Valon Syla dhe Dardan Gashi…
Se vendi ndodhet nën “masa ndëshkuese” pas instalimit dhe mbajtjes me doemos e me aparaturë të tërë policore të kryetarëve shqiptarë në veri me legjitimet thuajse inekzistent (ndonëse legalë) për Vetëvendosjen nuk përbën kurrfarë shqetësimi; për çka këto të fundit zgjodhën t’i kthehen zanatit të vjetër: videove propagandistike.
Se krejt ky kurs ka arritur të prodhojë edhe draft-statut të Asociacionit që në parathënie e ka “Rezolutën 12/44” dhe vazhdon të jep konturat e një “Arbitrazhi ndërkombëtar” që tejkalon rendin kushtetues të Kosovës në çështje të interpretimit të këtij Statuti pas zbatimit, as kjo s’e brengos fare Vetëvendosje; e as që miratimi i këtij draft-statuti është kthyer në kusht të krejt rrugës evropiane të vendit.
Vetëvendosja, në videon e fundit – hallin e ka të analistëve dhe opinionistëve kosovarë, të cilët del të mos ia kenë qëlluar që Kurti do ta mbajë përkundër gjithçkaje Lulzim Hetemin dhe Erden Atiqin që s’kanë as 3 për qind të votës së popullatës lokale të cilën supozohet ta qeverisin.
“Sot bëhen një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat. Grupe të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi bën sulme të përditshme ndaj Policisë, gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it me qëllim pengimin e punës së kryetarëve në këto komuna dhe luftimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Por, institucionet e Republikës të vendosura ngadhënjyen. Vendosmëria për kushtetutshmëri, rend dhe ligj triumfoi. Në anën tjetër, asokohe në shumë studio televizive, nga shumë zëra ngjallej frikë, panik e dorëzim. Por, fotografia e sotme në veri të vendit është përgjigja më e mirë për ata zëra”, ka thënë Lëvizja Vetëvendosja në videon e publikuar në “Facebook”.
Për çfarë fotografie e kanë fjalën?
Fotografinë që perëndimi e pranon dhe rrjedhimisht edhe bazohet në të skicohet dhe elaborohet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave; raport ky pjesët e të cilëve janë cituar e shkruar si konkluzionet për t’u miratuar edhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Se mos perëndimi politik dhe i sigurisë miraton konkluzione të shkruara nga Arlind Manxhuka?, raporton “Nacionale”.
Raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave e konsultojnë thuajse të gjitha shtetet, e madje edhe investitorët për të parë dhe marrë kuptuar gjenjen faktike të sigurisë së një vendi, e që në rastin e Kosovës fotografia jepet e errët; dhe madje për të njëjtat arsye për çka Vetëvendosja gjen të mburret. Por, me rëndësi të përgënjeshtrohen opinionistët si Baton Haxhiu, Valon Syla e Dardan Gashi…
Fotografia që e jep IGC është që “koha nuk është në anën e Kurtit, mbështetja nga aleatët po gërryhet me shpejtësi” ndërsa vazhdon të elaborojë atë se politikbërja e qeverisë kosovare “ka bërë që të humb mbështetjen edhe në mesin e serbëve më integrues” në raport me shtetin kosovar”.
“Koha nuk është në anën e tyre. Një Kosovë e izoluar do ta kishte gjithashtu më të vështirë të pengonte qëllimin e Serbisë për të ulur numrin e shteteve njohëse në 96 ose më pak në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (gjysma e anëtarësimit të saj)”, është thënë në raport.
“E vërteta e ashpër, megjithatë, është se Kosova ka shumë për të humbur nga lënia e mosmarrëveshjes. Ajo është në një pozicion më të dobët, duke u përballur me një shtet më të madh, më të pasur me më shumë për të ofruar aleatë të mundshëm, veçanërisht në lidhje me Ukrainën. Ajo po përpiqet gjithashtu të përfitojë nga negociatat duke refuzuar të respektojë premtimin e saj kryesor në bisedimet e mëparshme. Mbështetja e saj midis aleatëve të saj më të rëndësishëm në Evropë dhe SHBA po gërryhet kështu me shpejtësi”, thuhet në raportin e ICG-së.