LV-ja me kërkesë Kryesisë së Kuvendit për çështjen e kompensimit të deputetëve për udhëtime
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se kanë proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës kërkesën për të rishikuar vendimin për kompensimin e deputetëve për udhëtime.
Ajo ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes kanë hequr dorë nga ky kompensim.
“Sot grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, ka proceduar kërkesë zyrtare në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore. Po ashtu, e ritheksojmë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje!, heqin dorë vullnetarisht nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione, ndërsa shprehemi të gatshëm të kontribuojmë në përmbajtjen e vendimit të ri për lartësinë e kompensimit të deputetëve duke ftuar të gjitha palët e interesuara të bëhen pjesë e diskutimit kur të fillojë puna në vendimin e ri”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.