LV-ja në Gjakovë: Erdhi dita për prodhuesit e punëtorët
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka qëndruar dje në Gjakovë ku bashkërisht me kandidatët për deputetë Jahja Koka, Arbërie Nagavci, Agon Batusha, Mimoza Kusari-Lila, Mimoza Shala, Hysamedin Feraj, Taulant Kryeziu, Lorik Lipoveci, kanë vizituar ndërmarrjen shoqërore ‘Jatex’, kompanitë që merren me përpunimin e drurit për mobileri ‘Mebel’ e ‘Deva’ si dhe një fermë në fshatin malor Babaj të Bogës, me përfaqësuesit e të cilëve ka diskutuar për problemet e tyre dhe zgjidhjet që i parasheh qeveria e re e Vetëvendosjes.
Në ‘Jatex’, drejtori Riza Lula ka treguar se si kjo ndërmarrje me prodhimtarinë e saj eksportuese dikur punësonte rreth 1 300 punëtorë, kurse tani në listë ka vetëm 600 prej të cilëve vetëm 30 marrin paga.
Ai ka shprehur shqetësimin se si pronat e ‘Jatex’-it në rajon, të blera me pagat e 12-ta të punëtorëve, në Bosnje (5), Mal të Zi (4) dhe Serbi (24) janë uzurpuar e janë shitur dhe shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë.
Si përgjigje, kryetari Kurti ka thënë se qeveria e re do ta shfuqizojë AKP-në dhe përmes Fondit Sovran që i përgjigjet Kuvendit, një bordi profesional, do ta menaxhojë dhe strukturojë këtë ndërmarrje duke ua mundësuar qytetarëve e në veçanti atyre nga diaspora të bëhen aksionarë në të.
Qeveria e re do të kërkojë zyrtarisht zhdëmtim për shkatërrimet që ka bërë Serbia, përfshi këtu edhe pronat që janë uzurpuara e shitur si ato të ‘Jatex’.
Kompanitë që merren me mobilieri shprehën shqetësimin për ikjen e punëtorëve të kualifikuar, hapësirën e punës dhe ngjashëm me fermerët mungesën e subvencioneve dhe kreditë e larta që detyrohen t’i marrin.
Me qeverinë e Vetëvendosjes do të ketë sistem dual të arsimit që e lidh këtë të fundit me ekonominë në atë mënyrë që barra e edukimit të punëtorëve të mos bie më mbi bizneset.
Kryetari Kurti ka theksuar se kamatat do të bien nën 3% dhe koha e kthimit do të rritet përmes Bankës Zhvillimore që do t’i ndihmojë prodhuesit vendor.
Pas këtyre takimeve Kurti së bashku me kandidatët për deputet nga Gjakova kanë uruan mirëseardhjen për 50 e më shumë anëtarë të rinj në Qendrën e Lëvizjes në Gjakovë, me të cilët u zhvillua një diskutim publik rreth mobilizimit për zgjedhjet e 6 tetorit.
Dalja do të jetë masive, fitorja e madhe dhe ndryshimet rrënjësore.