LV-ja me nismë legjislative për dënimin në mungesë të kriminelëve serbë
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka proceduar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për dënimin në mungesë të kriminelëve serbë.
Deputetja e kësaj lëvizje, Albulena Haxhiu, në një konferencë për medie ka thënë se ketë nismë legjislative e kanë ndërmarrë për shkak se shumë kriminelw serbë të cilët kanë kryer krime në Kosovës sot jetojnë të lirë.
“Kriminelet e luftës që i kanë shërbyer dhe kanë zbatuar planin e Sllobodan Millosheviqit për vrasjet dhe dhunimet e shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë duhet të dënohen. Nuk kemi arsye të presim më gjatë për vendosjen e drejtësisë”, ka thënë Haxhiu, raporton “Epoka e re”.
Haxhiu ka thënë se ky projektligj parasheh derogimin e 20 neneve të Kodit të Procedurës Penale.
Më tutje, ajo ka thënë se shumë shtete të Bashkimit Evropian e kanë të rregulluar çështjen e dënimit në mungesë.
Ndërsa, deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka thënë se nxjerrja e Ligjit për dënimin në mungesë është e domosdoshme.
Ajo ka thënë se as Gjykata e Hagës dhe as EULEX-i nuk i ka dënuar në mënyrë meritore ata të cilët kanë kryer krime. Madje, ajo ka thënë se EULEX-i ka dështuar në gjykimin e krimeve të luftës.
/Epoka e re/