LV-ja pas vendimit të Kushtetueses për ekipin negociator: Zgjidhja e vetme, zgjedhjet
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila i ka dhënë përgjigje kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
Haxhiu ka thënë se presidenti Thaçi nuk mund të udhëheq Kosovën në bisedimet me Serbinë.
“Siç kemi thënë në kohën kur e kemi kontestuar ligjin për dialogun, projektligji për dialogun ka krijuar një delegacion jo kushtetues të cilit ia mveshën. Gjykata Kushtetuese sot konstatoi që ligji për dialogun është antikushtetues në tërësinë e tij”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për medie.
Sipas Haxhiut, zgjidhja e vetme pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Ajo ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se Qeveria ka ingerenca kushtetuese, dhe se presidenti i Kosovës nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë.
“Ne e kemi kundërshtuar presidentin Thaçi, mënyrën se si ka shkuar ky dialog me Serbinë. Në këto rrethana ku kemi një president që në mënyrë jo kushtetuese ka udhëhequr dialogun, dhe kryeministrin i cili refuzoi të marrë kompetencat e tij, zgjidhja e vetme është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, është shprehur Haxhiu. /Kosovapress/