LV-ja përgatitë kallëzim penal kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Lëvizja Vetëvendosje e vlerësuar si “skandal dhe abuzim me paratë e taksapaguesve” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lejimin e rritjes së pagave për kabinetin qeveritar.
Në një konferencë për medie, deputetja e kësaj lëvizje, Albulena Haxhiu, ka thënë se në vend që Gjykata Kushtetuese të ndalonte abuzimin me paranë publike, gjyqtarët, përmes atij vendimi, e mundësuan edhe rritjen e pagës për veten.
Haxhiu ka bërë me dije se Vetëvendosje është duke përgatitur kallëzim penal kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi i Haradinajt, përpos që është vepër penale, është edhe kundër-kushtetuese, për shkak se ka ndërhyrë edhe në kompetencën e Kuvendit. Autoriteti që merr vendime është Kuvendi përmes ligjit për paga. Ne kemi nisur të shkruajmë kallëzim penal për kryeministrin dhe ministrat që morën vendimin, përfshirë edhe gjyqtarët”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, për shkak se implikimet buxhetore të këtij vendimi nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2018, paratë do të merren nga buxheti për shëndetësi apo edhe për ndërtimin e shkollave apo çerdheve.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të hënën që rritja e pagave për kabinetin qeveritar, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1 500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2 950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1 300 euro, në 2 500 euro.