Vetëvendosja kërkon që Presidenca të emërojë dy anëtarë të saj në KQZ

18 qershor 2018 | 15:15

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur të hënën konferencë për medie, në të cilën kanë folur për vonesat në lidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Përfaqësuesit e këtij subjekti politik i kanë quajtur veprime jokushtetuese, emërimet e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga zyra e Presidentit, që ende nuk janë publikuar për opinionin.

Nazlie Bala nga LV-ja ka treguar për thirrjen krejtësisht në mënyrë joserioze, pa asnjë shkresë apo e-mail zyrtar që ajo ka marrë nga ana e Zyrës së Presidentit.

“Të enjten e kaluar, nga Zyra e Presidentit, gjegjësisht nga zyra ligjore, kam pranuar një telefonatë për të marrë pjesë në betimin si anëtare e KQZ-së. Kjo thirrje nuk është as zyrtare e as ligjore sepse nuk kam pranuar asnjë dokument zyrtar e aq më tepër kur i nominuari tjetër nga Lëvizja, Adnan Rrustemi, nuk është kontaktuar fare. Kjo ka ndodhur pa asnjë shpjegim zyrtar dhe kësi lloj është e papranueshme”, ka thënë Nazlie Bala.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ketë dy anëtarë në KQZ, sikurse edhe LDK-ja duhet t’i ketë po ashtu dy anëtarë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e drejtë e subjekteve politike që në bazë të fuqisë të marrë në zgjedhjet e fundit të dërgojnë anëtarët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Në KQZ duhet t’i ketë dy anëtarë koalicioni PAN, dy anëtarë Lëvizja Vetëvendosje dhe dy anëtarë LAA siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje, dhe siç e përcaktoi rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Përkundër që Presidenca nuk inicioi procedurën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje më 17 prill të këtij viti dorëzoi dy nominimet, Adnan Rrustemin dhe Nazlie Balajn, për dy anëtarë në KQZ, ashtu siç parashikohet me Kushtetutë dhe Ligjin për Zgjedhje”, ka thënë Albulena Haxhiu.

Përfaqësuesit e LV-së kanë theksuar se aktualisht zyra e Presidentit në vend se të procedojë me këto nominime po pengon emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga opozita.

Adnan Rrustemi ka konstatuar se ndonëse kanë kaluar mbi dy muaj prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar dy nominimet e saj për anëtarë të KQZ-së, Presidenca nuk i ka përmbushur përgjegjësitë që ka në konfirmimin e këtyre nominimeve si anëtarë të KQZ-së.

“Në bazë të ligjit për zgjedhje, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës. Gjersa, rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës është certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, duke reflektuar kështu përbërjen e re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit”, ka thënë Adnan Rrustemi.
Ndërkaq,

Përfaqësuesit e LV-së kanë kërkuar nga zyra e Presidentit pa vonesa të mëtejshme që sa më parë të konfirmohen të dy anëtarët e KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Populli i Islandës vazhdon të shfaqë dashuri pakushte për futbollin,…