LV-ja pritet ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese rastin e Aida Dërgutit
Lëvizja Vetëvendosje po e shqyrton mundësinë e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese çështjen e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti. Këtë pritet ta bëjnë pas dështimit që në Kuvend ta shkarkojnë atë, meqë nuk mori dy të tretat e votave të deputetëve, aq sa kërkohej për shkarkimin e Dërgutit.
Në seancën e së hënës, nga 91 deputetë të cilët kanë votuar, 17 vota ishin për, 26 vota kundër dhe 48 abstenime.
Vetëvendosje po kërkon që ta ketë postin e nënkryetarit të Kuvendit, meqë është partia e tretë dhe sipas Kushtetutës, tri partitë më të mëdha që dalin nga zgjedhjet duhet të kenë nga një nënkryetar.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka thënë “KosovaPress”-it se pas vendimit të Kuvendit, do ta diskutojnë në organet e partisë se si do të procedojnë më tutje.
“Meqë nuk kaloi, nuk u pranua nga shumica e deputetëve, atëherë sigurisht grupi parlamentar, kryesia do ta diskutojmë bashkërisht do të vendosim për hapat tjerë… Po tani nuk ka opsion tjetër, ky është hapi i radhë që Lëvizja Vetëvendosje mund ta marrë për ta realizuar një të drejt të vetën që beson se i takon sipas Kushtetutës dhe e përsërisë do të diskutohet në forumet tona dhe ashtu siç vendos shumica do të procedojmë tutje”, ka thënë Nagavci.
Ani pse doli nga Lëvizja Vetëvendosje, nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, nuk dha dorëheqje nga posti që mbanë, pavarësisht se aty erdhi si propozim i ish partisë së saj, VV.
Kolegu i saj në partinë e re, i cili është edhe shef grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se ata do ta respektojnë çdo vendim të Kushtetueses.
“Pra Kushtetuta është e qartë. Të drejtën për të nominuar e ka subjekti i tretë, të drejtën për me zgjedh e ka Kuvendi. Të njëjtën kohë, të drejtën për me shkarku e ka Kuvendi dhe përsëri për të rizgjedhur e ka Kuvendi. Unë mendoj që ky diskutim, le të merr formë ligjore dhe institucionale dhe ne e respektojmë, asnjë telashe nuk e kemi. Çfarëdo vendimi që merr Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektojmë”, theksoi Sejdiu.
Sejdiu shton se ata po duan që çdo gjë të bëhet në kuadër të një parimi, e jo t’i ndërrojnë parimet, varësisht prej nevojës dhe interesit të një grupi.
Monitoruesit e punës së Kuvendit e shohin të ligjshme mbajtjen e postit të nënkryetares nga ana e Aida Dërgutit, për shkak se Kuvendi nuk mori një vendim për shkarkimin e saj.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se Gjykata Kushtetuese tani ka bazë për ta shqyrtuar një kërkesë të VV-së, për çështjen e nënkryetares Dërguti, meqë ka një vendim të Kuvendit.
“Shpesh herë rregullat që janë vendosur në Kosovë janë lënë me shumë në vullnet të interpretimit pak më të lirë në aspektin se do duhej të kishte një veprim më shumë moral sesa ligjor të deputetes Dërguti për të dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares pasi ka ndërruar grupin parlamentar dhe e drejta për të propozuar anëtar në kohën kur janë certifikuar rezultatet e ka pasur LV. Në rrethana normale do duhej që zonja Dërguti të jepte dorëheqje dhe të lejonte që VV të propozoj një kandidat tjetër që do të mund ta përfaqësonte një kandidat tjetër në kryesinë e Kuvendit. Mirëpo meqë nuk ka akt të dorëheqjes ajo mbanë në mënyrë të ligjshme pozitën për shkak se nuk ka pasur një vendim për shkarkim ashtu siç parashihet me rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka përmendur praktikat e vendeve të rajonit, siç është Bullgaria, ku në momentin që nënkryetari ndërron grupin parlamentar, atëherë automatikisht i pushon mandati i nënkryetarit.
Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, është në mandatin e dytë në këtë pozitë, pasi edhe në legjislaturën e kaluar, mbante këtë post si përfaqësuese e LVV-së. Por, shkarkimin e saj, ish partia e saj po kërkon pas ndarjes së Vetëvendosjes dhe kalimit në Partinë Socialdemokrate, të 12 deputetëve të VV, e bashkë me ta edhe Aida Dërguti.