LV-ja publikon deklaratën e dalë nga tryeza e partive politike
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar të premten tryezën me partitë politike, në të cilën është diskutuar për disa tema, njëra ndër to ishte edhe ajo për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e parakohshme janë kundërshtuar nga të gjitha partitë në pushtet por jo edhe nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje të cilat janë në opozitë.
Pas përfundimit të kësaj tryeze, Vetëvendosje ka njoftuar se kanë nxjerrë një deklaratë e cila përpos kësaj lëvizje është përkrahur edhe nga tri subjekte politike, por pa ua përmendur emrat e tyre.
Deklaratë nga tryeza e subjekteve politike
Ne, subjektet politike të Republikës së Kosovës pajtohemi që në situatën aktuale rruga e duhur për një qeverisje legjitime dhe demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të organizuara në kohën më të përshtatshme të mundshme por pa vonesa.
Kryeministri nuk mund të vijojë qeverisjen dhe marrjen e vendimeve më tej, pa provuar në Kuvend shumicën. Andaj e ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të votëbesohet dhe ta dëshmojë në Kuvend që mund të Qeverisë.
Po ashtu, së bashku me subjektet politike në Kuvend do ta ndërmarrim nismën për të shqyrtuar në debat vendimet, një pjesë shumë problematike, të marra në mungesë të shumicës qeverisëse dhe duke anashkaluar Kuvendin e Republikës.
Diskutimi i temave jetike për vendin dhe vendimet strategjike duhet të diskutohen dhe merren në Kuvend. Aty jemi të mandatar nga populli i Kosovës për ta kryer këtë detyrë.
Tryezat e diskutimet duhet të na shërbejnë për të konkretizuar organizimin e zgjedhjeve të reja nga të cilat duhet të burojë një shumicë qeverisëse e qartë, demokratike dhe e pavarur nga aktorë të tjerë, mospranues të Republikës.
Një tekst të tillë, pa ndryshime, pos Lëvizjes Vetëvendosje, e nënshkruan edhe tri subjekte politike pjesëmarrëse, kurse në ditët në vijim presim konsultim dhe dakordim me subjektet e tjera pjesëmarrëse në tryezë.
/Epoka e re/