LV-ja: Pushteti i paraburgosi studentët e SKV-së, që të mos dëgjohej rrëfimi i tyre
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, dhe aktivistja e organizatës Studim, Kritikë, Veprim (SKV), Berita Abazi në një konferencë për media të dielën kanë folur për masën e arrestit të gjashtë aktivistëve të SKV-së me nga 30 ditë paraburgim.
Në këtë konferencë u kërkua lirimi i tyre të menjëhershëm meqë arrestimi si dhe masa e arrestit janë të padrejta “Ne besojmë se ata janë dënuar dje që të mos dëgjohet rrëfimi i tyre dhe që të mos shihen lëndimet që kanë pësuar. Ata janë të lënduar në shumë të pjesëve të trupit. Me t’u liruar ata do të kishin shumë për të treguar, kësisoj ndaj tyre u shqiptua dënimi për 30 ditësh. Pra gjashtë muaj në total”, ka thënë Aliu gjatë kësaj konference.
Ai ka shtuar se paraburgimi është dënimi i cili po zbatohet me lehtësi ndaj aktivistëve e studentëve dhe sidomos kur ka të bëjë me Lëvizjen Vetëvendosje ose simpatizantët e saj. Këtë paraburgim, e konsiderojmë si dënim policor që vazhdon dhunën policore, në parkun e qytetit ku s’kishte kamera.
Kurse aktivistja Berita Abazi ka thënë se aktivistët pos brutalitetit në parkun e qytetit, pësuan dhunë edhe në ambientet e Policisë së Kosovës.
Ajo ka shtuar se ishte dëshmitare e përdorimit të tepruar të forcës policore. Njëjtë kishte pohuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Zyrtarët e LV-së kanë bërë me dije se disa prej studentëve të arrestuar janë duke e humbur afatin e provimeve.
Sipas tyre, ata do të duhej të ishin në fakultetet e tyre dhe nëpër aktivitetet e përditshme, kurse Policia do të duhej të ishte e zënë në ndjekjen e kriminelëve të shumtë që ka Kosova.