LV-ja: Qeveria e re do të gjejë zgjidhje përmbajtjesore për zjarrfikësit
Anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla e Kreshnik Ahmeti dhe deputeti Hekuran Murati, kanë pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, të drejtuar nga kryetari Muharrem Beka.
Përfaqësuesit e sindikatës kanë njoftuar zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje me gjendjen e tyre të vështirë të punës, e cila shkaktohet nga paqartësia e statusit të tyre juridik, mungesa e investimeve në pajisje, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve në vend, pagat e ulëta dhe shumë probleme të tjera të cilat vështirësojnë punën dhe jetën e zjarrfikësve.
“Në takim pati pajtueshmëri që këto problematika të zjarrfikësve nuk janë trajtuar në mënyrë serioze dhe nuk janë synuar zgjidhje afatgjata nga qeveritë e kaluara. Zjarrfikësit kanë mbetur pa status juridik të qartë dhe pa mbështetje institucionale për më shumë se një dekadë dhe nuk është investuar në kapacitete të tyre operative sipas nevojave të cilat i ka ky institucion i rëndësishëm i Republikës”
“Takimi përfundoi me dakordim për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt dhe të mirë, siç ka qenë deri më tani, dhe që së bashku me sindikatën dhe njohësit e fushës, qeveria e re të gjejë zgjidhje përmbajtjesore dhe afatgjata për problemet me të cilat zjarrfikësit po përballen në secilën minutë të punës së tyre, e cila është bërë edhe më e rrezikshme për shkak të neglizhencës institucionale”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
/Epoka e re/