LV-ja: Qytetarët po e përkrahin listën fituese të Qeverisë Kurti
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidaten e listës së përbashkët, Mimoza Kusari-Lila, dhe me kandidatin tjetër Taulant Kryeziu kanë qenë të pranishëm në takim me qytetarë organizuar në Hotel Sirius, në Prishtinë, nga anëtarë të Alternativës.
Në fjalën e saj, kandidatja për deputete Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ajo që e bashkon me Lëvizjen është përpjekje esenciale për kthesën që duhet ta ketë Kosova në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Ne po përpiqemi në vazhdimësi për të treguar se Kosova ka mundësi të jetë një histori suksesi dhe kjo histori suksese do të fillojë me fitoren dhe qeverinë Kurti”, ka theksuar ajo.
Për Taulant Kryeziun domosdoshmëria e qeverisjes Kurti shpërfaqet edhe nga raportet e të gjitha organizatave ndërkombëtarë e partnerëve tanë strategjikë ku thuhet se Kosova është një shtet i kapur dhe me shoqëri të politizuar skajshmërisht.
“Ç’kapja e shtetit dhe e shoqërisë tonë vjen me qeverinë Kurti pasi kryeministri i ardhshëm nuk është as i kapur as i dirigjuar prej të tjerëve”, ka theksuar Kryeziu.
Kurse kandidati për kryeministër, Albin Kurti, duke folur për alternativën qeverisëse ka theksuar rëndësinë e lidhjes së ekonomisë me arsimin, shtesat për fëmijët, sigurimin shëndetësor, dhe pesëfishimin e inspektorëve të punës.
“Ne angazhohemi që shteti ynë përherë të parë prej se është shpallur i pavarur të jetë edhe shtet social. Në duam që shteti ynë ta ketë karakterin universal dhe solidar që do të thotë që të gjithë do të paguajnë për të mirën e përgjithshme, por që do të thotë se në të njëjtën kohë do të ndihmojmë dhe t’u shërbejmë më së shumti dhe më së pari atyre që kanë edhe nevojat më të mëdha”, është shprehur Kurti.
Një shtet i hapur për qytetarët, që përkujdesët për rininë, gratë e punëtorët dhe i palëkundur përballë krimit do të jetë shteti i qeverisë Kurti dhe shteti që meriton Kosova.
/Epoka e re/