LV-ja: Reforma në administratë do të duhet të adresonte shërbyesit e nëpërkëmbur

09 nëntor 2018 | 15:11

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se ka dorëzuar amendamentet për paketën ligjore të administratës publike në mbështetje të arsimit, shëndetësisë, drejtësisë dhe sigurisë.

“Pas më shumë se katër vitesh Ministria e Administratës publike dërgoi në Kuvend ndryshimet për paketën e Administratës publike ku përfshihen dhe pagat në këtë sistem. Kësaj pakete i parapriu vendimi arbitrar, i paligjshëm dhe i padrejtë i Qeverisë Haradinaj për t’ia rritur pagat vetes.  Në thelb edhe pse kjo paketë ligjore ishte parashikuar qe të realizonte një reformë në administratën publike përfundoi duke qenë një mbulesë legjitimuese për rritjen e paligjshme të pagave që i bëri vetes dhe të tijve kryeministri aktual”.

“Me këtë paketë ligjore do të duhet të kishim edhe diskutimin e gjerë e përmbajtjesor mbi modelin e Administratës publike të Kosovës. Por fatkeqësisht kjo mungon. Duhet të kishim edhe standartizimin e agjencive dhe institucioneve të tjera përveç ekzekutivit e legjislativit. Edhe kjo mungon. Në të kundërt kjo paketë sjell pështjellime e paqartësi duke i kthyer nën varësi të qeverisë plot institucione e agjenci që duhet të jenë të pavarura”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se kjo paketë duhet të paraprihej nga diskutimi i debatit të plotë mbi profesionet, shkollimin dhe karakteristikat e profesioneve brenda shërbimit publik të Kosovës.

“Dhe mbi kritere të drejta e të barabarta duhej të përkufizonte ato. Si rrjedhim do të duhet të kishim ligjin dhe klasifikimet për pagat. As kjo nuk ndodhi. Kjo paketë nuk garanton pagë të barabartë për punë të barabartë. Dhe nuk arrin të shquaj profesionet me vështirësi të lartë e kërkesë shkollimi superior. Reforma në administratë do të duhet të adresonte fillimit shërbyesit e nëpërkëmbur ata që janë në nivelin më të ulët të pagesave dhe të trajtimit. Nuk e kanë bërë, përkundrazi janë kujdesur që zyrtarët publik të lartë edhe ashtu me plot privilegje t’i rehatojnë edhe më tej. Si pasojë punonjësit shëndetësor, sistemi arsimor parauniversitar e parashkollor në përgjithësi, stafi mbështetës i sistemit të drejtësisë, zjarrfikësit e plot kategoritë të tjera nuk janë adresuar nga Qeveria”, është thënë në këtë njoftim.

Sipas LV-së, reforma në administratë do të duhet të adresonte fillimisht shërbyesit e nëpërkëmbur ata që janë në nivelin më të ulët të pagesave dhe të trajtimit. “Nuk e kanë bërë, përkundrazi janë kujdesur që zyrtarët publik të lartë edhe ashtu me plot privilegje t’i rehatojnë edhe më tej”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje.

Përveç amandementeve që Lëvizja Vetëvendosje i ka dorëzuar dje në Kuvend nëpërmjet deputeteve të saj dhe nëpërmjet komisioneve ku bëjnë pjesë, gjatë ditëve në vijim do të thërrasë në takim konsultuese e diskutim publik sindikatat e përfaqësuesit e institucioneve që kanë pasur probleme me këtë paketë.

 /Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Jose Mourinho ka folur para derbit që zhvillohet të…