LV-ja: Republika e Kosovës nuk i nënshtrohet milicisë fashiste të Vuçiqit (video)
Në një video prej gati dy minuta të shpërndarë në “Facebook”, Lëvizja Vetëvendosje ka përmbledhur disa pamje të protestave të mëhershme e deri tek ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në veri të Kosovës.
Nëpërmjet kësaj videoje, Vetëvendosje ka bërë thirrje t’i rezistohet milicisë fashiste të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, që sipas tyre është e njëjta me atë të presidentit aktual serb, Aleksandër Vuçiq.
Në videon e shpërndarë nga partia e Albin Kurtit është theksuar se Kosova nuk i nënshtrohet milicisë fashiste të Vuçiqit.
“Republika e Kosovës është përpjekja shekullore e e popullit të saj. Ajo është kërkesa për liri, demokraci e barazi me popujt e tjerë. Republika e Kosovës është rezultat i mijëra martirëve e të burgosurve politik. Ajo është rezultat edhe i aleatëve tanë. Republika e Kosovës është aspiratë e popullit për të shkuar e qëndruar kah vlerat e perëndimit. Ka vetëm një vend që nuk do të pajtohet me këtë fakt: Serbia”.
“Shteti që ka shkaktuar në tri dekada katër lufta. Ky shtet autokratik vazhdon të cenojë integritetin e vendit. Përmes milicisë fashiste Serbia vazhdon të cenojë rendin kushtetues. Këto të gjitha po bëhen me orkestrim të organizuar nga Beogradi. Por, Kosova nuk do të lejojë që milicia fashiste të përcaktojë rendin kushtetues”, është thënë në videon e publikuar nga Vetëvendosje.