LV-ja mbështet sindikalistët e Telekomit, kërkon ndërprerjen e kontratës me Z Mobile
Federata Sindikale e Pavarur e Telekomit të Kosovës ka bërë me dije se të hënën, më 24 qershor në orën 11:00 do të para objektit qendror të këtij institucioni kundër vazhdimit të kontratës me Z Mobile.
Kërkesat e kësaj sindikate i ka mbështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka theksuar se gati që një dekadë janë duke kërkuar nga Telekomi ndërprerjen e kontratës me Z Mobile.
“Lëvizja Vetëvendosje mbështet kërkesat dhe qëndrimet e Federatës sindikale së pavarur të PTK-së të paraqitura sot publikisht, lidhur me ndërprerjen, respektivisht mosvazhdimin e Kontratës së dëmshme me Z Mobile, afati përfundimtar i së cilës përfundon me 30 korrik 2019. Prej gati një dekade Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësuesit e saj dhe profesionistët e telekomunikacionit e financave kanë kërkuar hetimin dhe ndërprerjen e kësaj kontrate skajshmërisht të dëmshme për Telekomin dhe për të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike në vend”, është thënë në reagimin e Vetëvendosjes.
Sipas Vetëvendosjes, ka theksuar se qe një vit Qeveria ka qenë e obliguar që të marrë masa si aksioner i kësaj ndërmarrje publike, për të evidentuar dëmin dhe për ta ndërprerë kontratën me Z-mobile.
“Kjo është kërkuar nga rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018. Afati për Qeverinë po përfundon, ndaj punëtorët kanë të drejtë dhe duhen mbështetur në protestën e tyre të paralajmëruar për të hënën, 24 qershor 2019. Lëvizja Vetëvendosje i bën sërish thirrje menaxhmentit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Qeverisë që të ndërpresin menjëherë kontratën me Z Mobile. Të përllogarisin dëmin e ta kërkojnë ligjërisht dëmshpërblimin për dëmin shkaktuar Telekomit nga kontrata. I drejtohemi po ashtu edhe organeve të drejtësisë, prej krimeve ekonomike e deri tek prokuroria e shtetit: Hetoni krimin ekonomik që dëmtoi Telekomin dhe financat publike duke hetuar këtë kontratë”, është thënë në këtë reagim.
/Epoka e re/