LV-ja: Sulmi terrorist në veri, përpjekje e dëshpëruar pasi kriminelët s’kanë më hapësirë të lirë veprimi
Për sulmin e rëndë të kryer ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ku ka mbetur i vrarë një polic, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo lëvizje ka theksuar se “ky sulm terrorist dëfton për përpjekjet e dëshpëruara, qëllimet kriminale, objektivin destabilizues të strukturave të drejtuara nga Serbia pasi që ato tash e një kohë nuk kanë më hapësirë të lirë veprimi në katër Komunat në veri të vendit tonë”.
Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:
Sot, u zgjuam me lajmin e rëndë se një sulmi terrorist u krye ndaj Policisë së Kosovës nga strukturat kriminale që drejtohen nga institucionet e Serbisë.
Gjatë këtij sulmi u vra Rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosë Polici Alban Reshiti.
Lëvizja Vetëvendosje! dënon këtë sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkon nga institucionet ligjzbatuese që përgjegjësit të vihen sa më parë para drejtësisë.
Ky sulm terrorist dëfton për përpjekjet e dëshpëruara, qëllimet kriminale, objektivin destabilizues të strukturave të drejtuara nga Serbia pasi që ato tash e një kohë nuk kanë më hapësirë të lirë veprimi në katër Komunat në veri të vendit tonë.
Shtatë bazat e reja policore, kontrolli mbi Liqenin e Ujmanit, mbyllja e rrugëve të kontrabandës, arrestimi i kriminelëve nga këto struktura, arrestimi i kriminelëve të luftës ia kanë destabilizuar qetësinë rrjetit kriminal Vuçiqit dhe aparatit që kanë ndërtuar për të destabilizuar Kosovën she jetën e qytetarëve të saj.
Ky sulm terrorist është padyshim cenim i drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues e ndaj institucioneve të Kosovës që ushtrojnë mandatin e tyre për rend dhe ligj. Presim që të gjithë që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë në përputhje me lartësinë e detyrës që bartin.
Lëvizja Vetëvendosje! i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të rënë sot në detyrë, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku!
Ne i urojmë Alban Reshitajt, policit të plagosur shërim të plotë e kthim sa më të shpejtë në detyrë.
Lëvizja Vetëvendosje! bën thirrje për mbështetje të parezervë për Policinë e Kosovës dhe të gjithë institucionet që janë në krye të detyrës në mbrojtje të rendit dhe ligjit, sovraniteti dhe integritetit territorial të Kosovës.