LV-ja: Të gjeturat e Auditorit konfirmojnë keqmenaxhimin e Komunës së Pejës
Lëvizja Vetëvendosje (LV) në Pejë është shprehur e shqetësuar me gjetjet e Auditorit të jashtëm për vitin 2017.
Sipas kësaj lëvizje këto gjetje konfirmojnë keqmenaxhim dhe joefikasitet.
Anëtari i Kryesisë së LV-së, Bashkim Nurboja në një konferencë për media ka thënë se formati aktual i raportimeve menaxheriale nuk ofron bazë për kontrolle të brendshme efektive meqenëse raportimi me shkrim tek menaxhmenti i lartë bëhet vetëm sipas kërkesës dhe jo në baza të rregullta kohore.
“Si pasojë e kontrolleve jo të mira janë vërejtur dobësi në fushën e të hyrave, prokurimit, subvencioneve, pagesën e shpenzimeve, si dhe në raportimin e obligimeve. Nga shumica e të gjetura që kemi vërejtur, ku ka potencial të dëmtohet buxheti i Komunës, kemi vërejtur edhe shkelje që mund të konsiderohen penale”, ka deklaruar Nurboja.
Ai ka thënë se qytetarët e Pejës meritojnë qeverisje më të mirë.
“LV do të përcjellë veprimet e komunës dhe nëse është nevoja do të paraqesim padi direkt ndaj Komunës së Pejës apo cilido akter që dëmton interesat e qytetarëve”, është shprehur Nurboja.
/Epoka e re/