LV-LDK: Të hënën përmbyllet marrëveshja për koalicion
Pas takimit mes Albin Kurtit të LV e Isa Mustafës të LDK-së, kanë lëshuar një njoftim për media.
Pos tjerash, thonë se janë pajtuar edhe për çështjen e kabinetit qeverisës me 12 ministri.
“Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për versionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në njoftimin e përbashkët.