LV: Parandalojeni “Zajednicën”, ajo rrënon shtetin e Kosovës nga brenda
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj takimit të sotëm të përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, duke thënë se “si në Bosnje në vitin 1991, u mblodhën edhe në Kosovë për ta rrënuar shtetin nga brenda”.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se takimi i sotëm në Mitrovicë u mbajt më 28 mars, datë e njohur si ‘Dita e Shtetësisë’ në Serbi, meqë ajo pat shpallur kushtetutën e saj të re më 28 mars 1989, menjëherë pas suprimimit të autonominë së Kosovës.
Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:
Sot, 120 përfaqësues të 10 komunave me shumicë serbe u mblodhën në veri të Mitrovicës, në një takim që i përngjante një këshilli nacional serb në Kosovë. Mitrovica është komuna ku spastrimi etnik i shqiptarëve ka vazhduar edhe pas luftës nga strukturat paralele kriminale të Serbisë, që kanë dëbuar mbi 11,000 shqiptarë e kthimin e të cilëve ende e pengojnë. Shumë ngjashëm ka vepruar Serbia edhe me komunat me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë më 26 prill të vitit 1991, kur u mblodhën 14 komuna atje për të themeluar “Zajednicën” e tyre, e cila më vonë, përmes gjenocidit, u shndërrua në “Republika Srpska” që mban peng dhe të defunksionalizuar shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës.